Sekcionet
Arhiva
| He | Ma | Me | Ej | Pr | Sh | Di | |
|---|---|---|---|---|---|---|---|
| 1 | 2 | 3 | 4 | ||||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | ||
Did you enjoy this article?
(total 1 votes)
Në Çarshinë e Shkupit ka nisur kultivimi i elitave shoqërore dhe urbane në dekadat e para të shekullit XX dhe është përforcuar sidomos në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Të kesh pronë një dyqan në Çarshi ka qenë mirënjohje për status më të dalluar në shoqërinë qytetare. Kështu, Çarshia shndërrohet në qendër tregtare të Shkupit. Pronarët e dyqaneve të saj kanë jetuar në katet përmbi dyqanin, ndërsa tregtarët më të rregullt kanë jetuar në lagjet shkupjane Serava, fare afër nga Çarshia, si dhe në lagjen Çairi, emërtim turk që simbolizon fushat pjellore, që të dyja të njohura si lagjet më të vjetra të qytetit të Shkupit. Rrëfimet për “fytyrat e çarshisë” edhe sot ruhen si legjenda që flasin për jetën e gjatë e përjetimet këtij qyteti të lashtë brenda një qyteti modern. Kur vjen në Çarshi nga pjesa e Shkupit e ndërtuar pas tërmetit në vitin 1963, ke përshtypjen se aty ndërpritet lidhja me civilizimin- dinamika dhe stresi zëvendësohen me një gjendje relaksi e qetësie idilike. Aty përfundon agresiviteti i të jetuarit bashkëkohor dhe nis respekti ndaj traditës së kultivuar me forma tipike të tregtisë e zejtarisë siç janë prodhimi i papuçeve, prodhimi i çantave e arit. Në Çarshi të vjetër kultivohet tradita familjare- dyqanet përcillen nga gjenerata në gjeneratë dhe si të atilla shndërrohen në simbole dalluese për banorët e qytetit të Shkupit. Përpos shitoreve të vogla e të ngushta në të cilat kultivohen disa nga zejet më të vjetra që binë ndesh me trendet moderne të industrializimit, Çarshia e vjetër është gjithashtu qendër kulturore e artistike në të cilën ndodhen shumë monumente kulturoro-historike. Në brendinë e vet kjo qendër e dikurshme tregtare ruan disa nga galeritë më të njohura artistike, disa nga hamamet dhe hanet më të vjetra të ndërtuara në kohën e Perandorisë osmane. Pjesë përbërëse e Çarshisë, edhepse ndoshta jo fizikisht brenda saj, është edhe Teatri i dramës shqipe, një godinë, fatkeqësisht e pamirëmbajtur dhe e lënë jashtë interesimit të autoriteteve qëndrore të kulturës. Edhe krahas vështirësive dhe peripecive të shumta, ky Teatër për dekada me rradhë shfaq shfaqe të cilat, bashkë me protagonistët në to, shpeshherë janë shpërblyer me çmime të larta nëpër festivale prestigjioze në vend dhe jashtë. Çarshia e Shkupit gjithashtu është nikoqire e shumë manifestimeve të hapura muzikore që mbahen mbi kalldërmë dhe është shtëpi e Qendrës Teatrore për Fëmijë, një teatër multietnik i cili realizon shfaqe për fëmijë. Në kuadër të Çarshisë bën pjesë edhe Muzeu i Maqedonisë i cili gjendet në afërsi të Kurshumli Hanit dhe Xhamisë së Mustafë Pashës, ndërsa në afërsi, përballë Kalasë së Shkupit është edhe Muzeu i Artit Bashkëkohor. Esnafët e Çarshisë së Shkupit janë zejtarët të cilët ushtrojnë dhe ruajnë traditën në fushën e caktuar të zejtarisë. Termi “esnaf” vjen nga mesjeta dhe është përdorur për të emërtuar njerëzit të cilët kanë kryer funksione me karakter ekonomik, politik, ushtarak dhe fetar-arsimor. Ata gjithashtu janë interesuar edhe për problemet e prodhimit dhe qarkullimit të mallrave. Sot, të jesh esnaf do të thotë të respektosh rregullat e Çarshisë- të hapësh dyqanin në mëngjes, të presësh e përshendesësh klientët me pozitivizëm. Esnafët takohen shpeshherë nëpër lokalitete të Çarshisë për të shkëmbyer mendime, ose mbajnë mbledhje kur duhet diskutuar çështje të rëndësishme për Çarshinë. Ata kanë zyrën e tyre brenda kompleksit Kapan An që gjendet në hyrje të Çarshisë. Njëkohësisht, edhe zejtarët kanë qendrën e tyre të aktiviteteve ditore që njihet si Oda e Zejtarëve, një ndërtesë e bardhë përballë Çifte Hamamit dhe Xhamisë së Murat Pashës. Oda e zejtarëve të Shkupit që gjendet në Çarshinë e Vjetër, përveç si objekt afarist, shfrytëzohet edhe si lokalitet për aktivitete tjera shoqërore apo edhe kulturore siç janë ekspozitat artistike.








