Sekcionet
Arhiva
| He | Ma | Me | Ej | Pr | Sh | Di | |
|---|---|---|---|---|---|---|---|
| 1 | 2 | 3 | 4 | ||||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 | ||
Did you enjoy this article?
(total 1 votes)
Çarshia e Vjetër është destinacioni juaj më i afërt pavarësisht nga cila anë vini në Shkup. E shtrirë në zemër të Shkupit, Çarshia e vjetër dallohet me veçori dhe një dinamikë tipike vetëm për të. Mbijetuese e shumë luftërave e okupimeve, Çarshia mbetet dëshmitari më i vjetër i gjallë i historisë së këtyre trojeve. Çdo mbretëri, çdo regjim e çdo pushtet ka lënë vulën e vet nëpër kalldërmën e Çarshisë së vjetër të Shkupit. E megjithatë, sot ajo vazhdon të qëndrojë si simbol i frymës kozmopolite të Shkupit: në Çarshinë e vjetër gërshetohen kultura e civilizime, religjione e tradita. Në Çarshi gërshetohen rryma artistike nga klasika te modernizmi, dhe kultivohen zejet më tipike, nga filigrani e artaria tek jorganxhinjtë. Çarshia e Shkupit sot dëshmon për një proces të gjatë e kompleks të zhvillimit shoqëror që fillon me zhvillimin tregtar e kurorëzohet me atë kulturor. Të dhënat historike tregojnë se Çarshia e Shkupit është krijuar në shekujt XI e XII, kur nis edhe krijimi i lokacioneve të para për të mbajtur mallin, me vendosjen e taksës për shfrytëzimin e tokës së qytetit dhe me fillimin e shitjes së mallit nëpër dyqane në ditët e pazarit (dita e martë dhe e premte edhe sot kanë mbetur të njohura si ditë pazari), apo edhe gjatë ditëve tjera të javës. Megjithatë, ajo ruan kontinuitetin e zhvillimit dhe gradualisht shndërrohet në një qendër të vërtetë tregtare.E shtrirë në kryeqytetin e një shteti europian, Çarshia e vjetër e dëshmon për kulturën e orientit të zhvilluar dhe të kultivuar nga banorët e Shkupit. Ajo në fakt paraqet dëshminë më të mirë për funksionalitetin e shoqërive multikulturore e multireligjoze. Çarshia e Shkupit ofron atraksione të shumta turistike, nga ushqimi gjer tek atraksionet kulturore-historike. Thënë troç, në Çarshi mund ta kaloni një ditë të mbushur përplot aktivitete interesante. Nëse keni uri, lirisht shijoni qebapet, një ushqim tipik turk që si traditë gjeneratë pas gjenerate e kultivojnë disa familje të njohura të Shkupit. Është e pamundur të mos i gjeni qebaptoret e shumta të Çarshisë: vetëm përcillni shqisën e nuhatjes dhe ajo patjetër do t’u sjellë tek burimi i erës, mishi i pjekur në skarë, i servuar me qepë të freskëta, sallatë apo të speca të djegës për t’i dhënë më shumë lezet. Kafeteritë moderne në Çarshi zëvendësohen nga çajtoret tradicionale. Uluni për një çaj me gota tradicionale turke apo edhe një orolet (pije e ngrohtë me shije portokalli) në çajtoren më të afërt! Aty çdoherë me ngrohtësi dhe mikpritësi do t’u pranojnë esnafët e çarshisë, nga të cilët edhe mund të dëgjoni ndonjë gojëdhënë apo legjendë për Çarshinë.








